
Të mërkurën, më 12.10.2022, Qendra e Kulturës “Koço Racin” – Kërçovë në galerinë e arteve realizoi puntorinë rinore për të 8-tën herë me radhë, e cila finansohet nga Ministria e kulturës dhe ka për qëllim punimin e enëve prej argjili.
Punëtoria rinore e qeramikës në esencën e saj është një projekt edukativ dhe kreativ duke i respektuar të gjitha fazat e krijimit të produktit artistik, deri në prezantimin e tij.
Ekspozita u realizua nga nxënësit e SHMK “Drita” dhe atë Elona Jonuzi, Elona Rufati, Habibe Ballazhi, Gent Rexhepi, Din Rexhepi, Fisnik Osmani me mentor Valdeta Ibishi dhe nxënësit e SHMK “Mirko Mileski” Jana Mateska, Barbara Petreska, Anamarija Cvetanoska, Konstantin Kostadinoski, Matea Miladinoska, Anastasija Damjanoska, Veronika Cvetanoska, Adam Nasteski, Marija Lena Adams me prof. Miroslav Krsteski.




Organizimi i një punëtorie autentike të qeramikës ku të rinjtë praktikisht njihen me mënyrën e krijimit tradicional të një produkti të qeramikës fillon me njoftimin me mënyrën e gërmimit të argjilës dhe ruajtjes së saj, përgatitjen dhe përpunimin, mënyrën e formimit të sendeve të qeramikës në të gjitha format dhe madhësitë, mënyrën e dekorimit dhe lustrimit tradicional të objekteve si dhe pjekjen përfundimtare të tyre.
Punëtoria tradicionalisht mbahet në fshatin Vraneshticë në punëtorinë e qeramikës të mjeshtrit Slobodan Stoleski i cili është mentori kryesor i procesit të plotë të krijimeve të pjesëmarrësve në punëtori.






Ajo që është me rëndësi për këtë projekt është se marrin pjesë nxënës të shkollave të mesme ku vërejmë një dukuri shumë pozitive se të rinjtë ende shfaqin interes për këtë zanat i cili është shumë i vjetër e që vazhdon të ruhet me xhelozi në këtë fshat.
Objektet, përveç funksionalitetit si bazë e veprimtarisë qeramike, përmes krijimeve të nxënësve, marrin një formë unike. Kjo krijon një sintezë të funksionalitetit dhe dekorit, duke i sjellë objektet në vepra origjinale me vlerë artistike.