
Në Qendrën e kulturës u shfaq premiera e filmit “Sofia” nga regjisori Eduard Grishaj, Në rolet kryesore shfaqen: Rita Gjeka, Tinka Kurti, Alfred Trebicka, Çun Lajçi, Rozafa Çelaj, Adem Karaga, Antonio Kodrinaj etj.
I frymëzuar nga kujtimet e At Zef Pllumit regjisori Eduard Grishaj realizoi një film për luftën, kujtesën dhe faljen. Dy gra. Një histori. Një emër. SOFIA. Jetët e dy grave janë të lidhura nga një histori e përbashkët. Në vitin 1941.Sofi Lekja ishte një grua shqiptare që strehoi një komandant jugosllav në shtëpinë e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më vonë ajo zbuloi se komandanti që po qëndronte në shtëpinë e saj i kishte vrarë djalin e saj.
Pas 80 viteve… Sofia, mbesa e komandantit jugosllav, është një vajzë e re serbe që studion albanologji në Beograd. Një ditë ajo vendos të shkojë në Shqipëri kundër dëshirës së prindërve të saj. Sofia ka një synim të madh, shkon në Shqipëri për të përmbushur dëshirën e gjyshit dhe për të gjetur të afërmit e Sofi Lekës.
Por Sofia papritur takohet me një të ri shqiptar që quhet Arbër gjë që ndryshon rrjedhën e udhëtimit. Arbëri ndihmon Sofinë të gjejë gjurmët e Sofi Lekës. Mes tyre ndizet dashuria që e bën më të vështirë largimin e Sofisë nga Shqipëria.
Kohëzgjatja e filmit 95min.
Romancë – Dramë-Histori